Blogu

2019 – VITI I QARTËSIMIT

Le të jetë 2019 Viti i QARTËSIMIT sipas asaj që tha mendimtari i madh  Al-Ghazali: „Mos lejo Zemrën tënde të kënaqet prej lëvdatave të të tjerëve dhe as të mos trishtohet nga kritikat e tyre.“

Le të jetë 2019 viti i QARTËSIMIT se, ti mund të mësosh shumë më tepër për një person, duke qenë i vëmendshëm se si ai flet për të tjerët dhe jo nga ajo se çka thotë ai për veten e tij.

Le të jetë 2019 Viti i QARTËSIMIT të asaj se, si dëshiron TI të duket e Ardhmja jote. Nëse akoma vazhdon të beson se dikush tjetër „e din“ se si do të duket e Ardhmja, e jotja dhe e imja, edhe ate duke pretenduar me mendjemadhësi se kinse „e ndjejnë“ se janë duke ardhë kohë të mira apo të këqija, duke ardhë valë të energjive të tilla apo të atilla, atëherë TI rrezikon të dështon që TANI. Mos e nënshkruaj dështimin tënd! Askush nuk e din se çka vjen!

Le të jetë 2019 Viti i QARTËSIMIT të asaj se, nëse mësohesh të konsumon SHPRESA dhe PREMTIME që të bëjnë të tjerët, atëherë TY nuk do të ngel kohë t`i premtosh vetes asgjë. Kështu që duke u munduar të bëhesh portreti i mrekullueshëm VETVETJA, ti do të bëhesh karikatura – Vetë-TJETRA!

Le të jetë 2019 Viti i QARTËSIMIT të asaj se, JO gjithçka që është e paketuar bukur, ka edhe ushqim të shëndetshëm për ty. Shpesh ndodhë që sa më i bukur të jetë PAKETIMI, aq më i madh të jetë edhe zhgënjimi! NDËGJO me vëmendje ata që flasën për nektarin, por në fund vetë e konsumojnë mjaltën dhe thesarin!

Le të jetë 2019 Viti i QARTËSIMIT se, ti nuk ke nevojë për „mësues“ që të ligjërojnë se kush është miku apo „armiku“ jotë, adhuruesi apo mashtruesi, e bardha apo e zeza, dashuria apo urrejtja! Guxo të thuash JO! Palestra jote janë PËRVOJA dhe VETËDIJA.

Le të jetë 2019 Viti i QARTËSIMIT se, në fakt nuk ka njerëz të këqij, por ka të tillë që kanë paragjykime të sëmura dhe sillen si të tillë, që pa vetëdije e tmerrojnë dhe dëmtojnë ate që është hyjnore në brendinë e secilit.

Le të jetë 2019 Viti i QARTËSIMIT se, nga ai moment kur ti fillon të ndjehesh i kushtëzuar dhe i varur nga njohuria e një personi nga bota e jashtme, nga po i njejti moment fillon të humbasësh lidhjen me instinktin dhe udhërëfyesin e brendshëm- INTUITËN tënde.

Le të jetë 2019 Viti i QARTËSIMIT se nëse synon Rrugën Drejt Suksesit, atëherë mëso nga HEROJNTË E SUKSESIT, si Vasil Naçi – Toni Robinsi shqiptarë, Prof. Hetem Ramadani apo Behgjet Pacolli. „Nëse dëshiron të rritesh dhe zhvillohesh në jetë, atëherë ndërto SISTEME dhe JO Frikë dhe Kontroll“ si dhe „Në jetë ka ose BINDJE ose DILEMË“, janë mesazhet më të fuqishme që kam konsumuar vitin që lamë pas nga kosmopoliti Vasil Naçi.

Le të jetë 2019 Viti i QARTËSIMIT të temave TABU, që ti bartë në vete për jetën, religjionin, politikën, dashurinë, seksin, MEDITIMIN, lumturinë, paqën dhe lirinë.

Le të jetë 2019 Viti i QARTËSIMIT se nuk janë klubet private që të bëjnë të sukseshëm, por je ti ai që e bartë suksesin në veten tënde. Asnjë mendjendritur dhe asnjë revolucionarë deri tani nuk u krijua, as nëpër bënkat shkollore,  e as nëpër „klube të suksesit“! Ti këtë do ta kupton, herët ose vonë, atëherë kur do të gjendesh para një situate sfiduese dhe kur do të lajmërohet domosdoshmëria që ti rikthehesh vetvetes, asaj pjese që ke sabotuar më parë. Puna me përkushtim të vazhdueshëm dhe dashuri, si dhe numri i sfidave dhe dhimbjeve drejt zhvillimit dhe rritjes, nuk mund të ti zevendësoj askush. Nuk ka sukses të gatshëm. Jo rrallë herë ndodhë që ti të ngel me premtimin dhe zhgënjimin, kurse tjetri të largohet me fitimin!

Le të jetë 2019 Viti i QARTËSIMIT se ata që të thuan „ke kujdes se cilin e ndëgjon“, ata në fakt e kanë fjalën për veten e tyre dhe jo për TY. Më e sinqertë do të ishte sikur të thonin „më ndëgjoni mua, se të tjerët ju mashtrojnë“. Por, të lutem, kush është vallë ai që e sheh mashtrimin te të tjerët? Ne tanimë e dijmë se te të tjerët mund të shohëm vetëm ate që e bartim me në brendi të vetes sonë. Nëse njerëzit na duken si mashtrues dhe zvarranik, atëherë pra në brendinë e kujt gjendet, mashtruesi apo zvarraniku?!

Uroj që 2019 të sjell Qartësi, se të gjithë e meritojmë mirësinë, respektin, bollëkun, paqën, kënaqësinë, korrektësinë dhe MIRËNJOHJEN!

 

Me shumë Dashuri

Sheki Useini – NATHAN

Zvicër / Janar 2019

Post a comment