Blogu

A BESON SE TI DUHET T`I PËLQEN SECILIT..?!

Për shumicën e njerëzve është e rëndësishme që të tjerët t`i duan. Për këtë arsye ata mundohen shpesh të tregohen ashtu siç nuk janë në të vërtetë, vetëm e vetëm që të fitojnë më tepër vëmendje, kujdes, dashuri, para, autoritet, përkdhelje, mirënjohje, e tj…dhe kjo, jo rallë herë, është një dëm i madh që ata i shkaktojnë vetvetes.

Kjo formë e sjelljes, së pari, bëhet pengesë që ata ta respektojnë veten ashtu siç edhe janë dhe së dyti, kështu e vështirësojnë vazhdimisht të jetuarit e një jete të përmbushur dhe të balancuar.

Natyrisht se është shumë vështirë të jetosh me integritet dhe të thuash “JO” kur mendon për “jo” dhe të thuash “PO” kur mendon për „po“, si dhe të thuash “MJAFT” kur diçka është e tepërt për ty.

Mirëpo, të jesh i VETËVETES, të jesh ajo që edhe me të vërtetë je dhe t`i ndihmosh vetes që mos të ta „ndjejë“ për të menduarit e të tjerëve, nënkupton se ti je ai njeri që ka një VETËBESIM të fortë për veten dhe se nuk i lejon vetes që të shtirret, edhe ate kryekëput nga një arsye tejet kuptimplotë: pasiqë ndjehet I MJAFTUESHËM ashtu siç është!

Kjo është edhe arsyeja se ne kemi nevojë për një dozë të shtuar të fuqisë mendore dhe emocionale, e cila më së miri mund të arrihet duke punuar me veten, duke investuar në vete, duke MEDITUAR, duke e hulumtuar brendinë, meqë kjo në fakt edhe është verzioni më efikas për ta jetuar jetën në dimenzionin e saj të mrekullueshëm.

Madje, në fund do thoja me bindje të thellë se, më mirë është që njerëzit të mos ju duan për shkak të asaj që ju jeni në të vërtetë, sesa të ju duan për shkak të asaj që nuk jeni dhe për shkak të „aktrimit“ të bukur që bëni!

Sa më tepër që do të beson se duhet t`i pëlqen SECILIT, po aq më serioze do të bëhen preblemet e tua!

 

Sheki Useini – NATHAN

Zvicër / Prill 2019

Post a comment