Blogu

ASKUSH NUK ËSHTË SI TI !

Jo rrallë herë njerëzit përpiqen të jenë si dikush tjetër, si dikush që e pëlqejnë, adhurojnë dhe si i cili do të kishin qenë, qoftë ajo në dukje, në karrierë, në pasuri, pozitë, sukses, e tj. Mirëpo kjo në shiqim të parë sa duket inspiruese, po aq më tepër është mashtruese dhe një burim i sigurt i zhgënjimit dhe i frustrimit, sepse nuk mund të jeshë kurrë si dikush tjetër dhe të gjitha përpjekjet që do të bësh, në fund do të dëshmohen si të të kota. Shpesh ndodhë që nga ky zhgënjim, njerëzit të fillojnë pastaj ta urrejnë personin, si i cili do të kishin qenë apo në vendin e të cilit do të ishin tani.  Kjo më shpesh manifestohet si xhelozi, zili,mosrespekt, injorancë, arrogancë, e kështu me rradhë. Madje kjo dukuri nuk përjashtohet edhe atëherë kur personi, si i cili do donim të ishim, është nga mjedisi familjarë, nga kompania ku punojmë ose thjeshtë dikush që është i suksesshëm!
Por çka ndodhë pastaj nga kjo?! Nga kjo xhelozi, zili, madje edhe urrejtje, pastaj krijohet mohim, përgojim apo rezistencë, si dhe ndjenja se ai person është padrejtë aty ku tani është dhe se nuk meriton ate që tani ai/ajo posedon apo që ka arritur. Si rezultat i kësaj lind mosrespekti dhe injoranca. Manifestimi i kësaj dukurie ka forma të ndryshme dhe besoj se shumica prej neve e dinë se për çka bëhet fjalë këtu.

Por, ajo që dua të shpalos këtu është se kur njeriun e kaplon kjo gjendje e xhelozisë, zilisë, frustrimit, moserespektit apo injorancës, atëherë ai njeri e BLLOKON zhvillimin dhe përparimin personal. Këtu qëndron e keqja!

Kjo gjendje me këtë energji negative shkatëron paqën e brendshme dhe asgjëson vullnetin për ta zhvilluar veten në MODELIN më të mirë të mundshëm. Në këtë gjendje njeriu nuk punon për veten, por kundër vetes. Kjo shëndrohet në farë që pastaj rrit konfliktin e brendshëm. Kështuqë lumturia dhe suksesi i vërtetë qëndrojnë larg tyre. Kjo fut në një lloj verbërie, që pastaj mos e shohësh dhe mos e kultivosh fuqinë e vërtetë, atë fuqi që është pjesë e veçantisë dhe autencitetit tënd. Atë fuqi, që ke sjellë me vete me arrdhjen tënde në këtë Planet.

Mirëpo, e gjithë kjo është një çështje e ZGJEDHJES. Pra, ju mund të zgjedhni respektin ndaj të tjerëve për atë që ata janë, për vendin në të cilin ata gjinden si dhe para së gjithash për suksesin që ata kanë aritur. Ju, me këtë në fakt e RESPEKTONI VETEN. A e din se çka ndodhë kur përcaktohesh për vetërespektin në këtë çështje? JU I JEPNI VETES FUQI! Ju filloni dalëngadalë ta kuptoni se askush nuk është dhe nuk do të jetë asnjëherë si ju, dhe para së gjithash, se ju nuk mund të jeni asnjëherë si dikush tjetër! Kjo nuk ka qenë e mundshme asnjëherë dhe nuk do të ndodhë kurrë. Të kishte qenë kjo e dobishme, atëherë do ta kishte bërë Perëndia para neve!

Mësohu të respektosh arritjet dhe sukseset e të tjerëve, që edhe të tjerëve të ju japësh mundësinë, që një ditë të respektojnë rezultatet dhe sukseset e tua. Një mençuri thotë: „së pari mbjell ate, që dëshiron të korrë më vonë“. Përkushtohu me dashuri në punën tënde, ndërto veten në atë mënyrë që mund ta bësh vetëm ty dhe që tani gëzohu për të korrurat e mëdhaja që janë dedikuar për TY në këtë jetë të mrekullueshme.

Si ti nuk është askush, apo jo?!

Me shumë Dashuri

Sheki Useini

Zvicër / Dhjetorë 2018

Post a comment