Blogu

MOS E HARRO MENTORIN E BRENDSHËM..?!

Në fillim të rrugëtimit në drejtim të sukseseve, çdo Mentor është kusht dhe shembull adekuat, i cili sot qëndron aty, ku ti do doje të ishe nesër. Roli i Mentorit është shumë domethënës. Fatmirësisht, në trevat tona kemi personalitete, histori suksesesh dhe Mentora fantastik, kur bëhet fjalë për arritje, sukses, motivim dhe lidership. Ata që unë edhe i njohë si Znj. Mimoza Thaqi nga Tetova, supermendja e klubit „Unë jam Fuqia“, Z. Vasil Naçi nga Shqipëria, Z. Behgjet Pacolli nga Kosova, Z.Hetem Ramadani, e disa të tjerë, janë një dhuratë dhe mundësi e mrekullueshme për shoqërinë tonë. Të gjithë këta janë shembuj fenomenal për të gjithë ata që dëshirojnë të bëjnë më të mirën nga jeta e tyre. Mirëpo unë në vijim të tekstit dua të shkruaj për një fenomen tjetër, që nuk ka të bëjë me kapacitetet dhe profilin e emrave të lartëpërmendur, por me një kategori tjetër të shfaqjes së Mentorave të shumtë në opinion. Kjo dukuri është e dukshme poashtu edhe këtu në shtetet e Perëndimit, konkretisht Zvicër dhe Gjermani. Pastaj kam edhe një trajtim edhe për rëndësinë e gjetjes së Mentorit të brendshëm në vetëvete, respektivisht të ndëgjuarit të Zërit të brendshëm.
Secili prej neve bartë në vete edhe një Mentor të brendshëm, besnik, lojal dhe të përhershëm. Por ti duhet këtë patjetër ta gjejshë në vetëvete! Mentori i jashtëm është FILLIMI, ai është inspirimi fillestarë, është i mirëseardhur, kurse pastaj duhet të vazhdosh të kërkosh vetë në brendi. Por para së gjithash kujdes nga të qëndruarit në vazhdimësi në periferi duke kërkuar dhe ndëgjuar Mentora të natyrave të ndryshme, të cilët shpesh pohojnë se kanë “reçeta” të shumta për sukses, për motivim apo edhe për “gjithçka”! Të tillë ka plot dhe numri i tyre rritet. Ndodhë shpesh që këta Mentora të jashtëm të ngatërojnë edhe veten edhe ty. Kjo nuk është diçka e re. Ka ndodhur dhe mund do të ndodhë.
Nëse Mentori, kushdo qoftë ai, të imponohet, të kërkon me çdo kusht lekë, kërkon të mësosh rregullat e filanit dhe fallënit, të mësosh ligjet e x dhe y, regulla nga Azia, Amerika apo India, atëherë është çasti të mendosh mirë për këtë, bile duhet të jesh shumë i vëmendshëm nëse futesh në loja të këtilla komplekse. Unë besoj se këta lloje “mentorash” akoma nuk e kanë kuptuar akoma se për çka bëhet fjalë! Ti, duke u përqëndruar vazhdimisht te Mentori, atje jashtë, ti do ta transferosh qendrën tënde në periferi, atje ku ajo nuk e ka vendin. Mentori në fillim mund të jetë shumë i dobishëm, por mund të jetë edhe tejet bllokues dhe irritues! Mentori i vërtetë është vëzhgues i denjë, nuk të shet qindra rregulla të huazuara dhe ai intervenon vetëm atëherë kur ti ndjenë nevojë. Ai flet nëpërmjet suksesit. Ai të inkurrajon të lidhesh me Mentorin tënd të brendshëm, me zërin e brendshëm dhe „nuk të lidhë“ pas vetes. Ai e din se ti Mentorin e vërtetë e bartë në brendi dhe të ndihmon në këtë drejtim. Kërkoje pandërprerë Mentorin në brendinë tënde! Ndëgjo me vëmendje të madhe! Medito për këtë në qetësi. Ai nuk pajtohet me zërat dhe normat e huaja. Mentori i brendshëm i ka të gjitha për ty, edhe ate në origjinal. Ky është zëri jotë i brendshëm dhe mos e tradhto, se nuk do ta fal asnjëherë. Mendo mirë, se a janë rregullat e të tjerëve me të vërtetë ajo për të cilën ti ke nevojë. Qëndro i sinqertë në këtë. Ti je TEMPULL I GJALLË I PERËNDISË. Padyshim është me të vërtetë mëkat që të lejosh të përzihet kush të dojë aty. Mos e turpëro veten me këtë!
Po të analizosh me kujdes sukseset e njerëzve me famë, revolucionarë apo vizionarë, atëherë do të konstatosh se ata në fakt krijuan rregullat e veta. Po, po, ata bile i rebeluan rregullat ekzistuese, bile edhe të atyre që mbaheshin si « të gjithëditur », të cilët pretendonin se kinse ja duan të mirën njerëzimit. Mentori i brendshëm është për nga natyra rebelues dhe ai din shumëçka, të cilat ti nga askushi nuk mund t`i mësosh.
Sa më afër që shkon në drejtim të tij në veten tënde, aq më pak do të keshë nevojë të konsumosh programet e të tjerëve të importuara nga të gjitha anët e Botës. Ky indikatorë në fakt tregon se sa je bërë VETVETJA. Pra, kjo do të thotë se sa më tepër që lakmon pas lëvdatave dhe vlerësimeve nga të tjerët, qofshin ato vetëm fjalë, çertifikata, nivelizime, përkdhelje, duartrokitja, etj ; ti po aq më pak je vetvetja ! Ti kështu do largohesh nga qendra jote, do krijosh varësi nga ajo që planifikojnë të tjerëtpër Ty dhe me Ty. Ti bëhesh OBJEKT VLERËSIMI. Mos e lejo këtë „lloj loje“, pra të bëhesh objekt vlerësimi i askujt, pasiqë pastaj do të përfundosh edhe si PRODUKT i ideve dhe synimeve të të tjerëve.
Mendo mirë se a ke nevojë për vlerësime të këtilla. Ti e din më së miri se sa nevojë ke që dikush të të vlerësojë dhe përkdhelë se sa i mirë apo sa e mrekullueshme që je.
Një gjë është më se e saktë, se sa më tepër të kesh nevojë apo pritshmëri për lëvdata e vlerësime, aq më tepër mund të dëshprohesh kur një ditë ato do të mungojnë. Por, bile edhe më keq po të pranosh diçka të kundërt, qoftë kritikë, refuzim, mohim apo ofendim. Çka do të bësh tani ?! Ku është stabiliteti për të cilin ke nevojë. Mendo pak për këtë .
Ata që pandërprerë të thuan dhe sygjerojnë ta jetosh ëndrrën tënde në këtë apo atë mënyrë, SIGUROHU mirë se mos je duke e jetuar pikërisht ëndrrën e tyre, kurse ti dhe ëndrra jote vazhdoni të ngelni në gjumë apo në mes të rrugës. Ti do të zgjohesh nga ai moment kur do të fillosh të shiqosh dhe ndëgjosh në brendi.
Fundi i fundit ti nuk ke nevojë për çertifikatën e askujt, por mësohu ta çertifikosh ti vetë veten tënde. Mos e lë këtë në duart e të tjerëve. Nuk besoj se ke nevojë. Pse ? Bile kjo edhe mund të krijojë një ditë edhe një „lëmsh mental“ të padëshirueshëm në botën tënde.
Nuk ka nevojë të shtyhesh me askend, të futesh në konkurencë, apo të garosh kundër këtij apo atij. Pse, çfarë interesi ke që të brengosesh për të qenë më i mirë se dikush tjetër ?! Nuk besoj se ka hajr nga kjo! Syno pandërprerë të jesh autentik, që në mënyrën më efikase të bëhesh vetvetja. Mos lejo që njerëzit tjerë të vendosin apo të përcaktojnë rëndësinë e vlerës tënde. Kjo do të largojë shumë nga lumturia e vërtetë. Pasiqë, lumturia e vërtetë ndodhë atëherë kur ti je i kënaqur me veten tënde dhe nuk ndjenë fare nevojë që këtë të ta konfirmoje edhe dikush tjetër. Kjo do të bëjë ti edhe më të sigurt. Ti do fillosh ti duash vendimmarrjet e tua dhe sa më tepër i don vendimmarrjet e tua, aq më pak ke nevojë që ato të ju pëlqejnë të tjerëve.
Kur kjo ndodhë, atëherë ti je te pragu i vetëvetes, pikërsiht aty ku të pret Mentori i brendshëm. Kjo është pikënisja e festës së madhe, e festës ku ti takohesh me veten tendë, me atë që ke sjellur me vete.
I dashuri lexues, Dashuria, përkushtimi total dhe puna me plot mundë, janë çmimi, që ti duhet të paguash për suksesin tënd ! Unë mendoj se Ti do të arrijshë çdo gjë të mundshme, vetëm nëse je i gatshëm ta paguash këtë çmim.
Nuk ka sukses pa çmim !

Post a comment