Blogu

KOPJA E KUJT JE TI?!

Secili njeri, apo secila krijesë është e veçantë. Kjo është një vërtetësi absolute dhe e pakontestueshme. Mirëpo, po vërehet në kohën e sotme një fenomen , të cilin unë e quaj “Errozion i Origjinales” apo “rrënimi i asaj që është autentike”.
Të rrallë janë ata të cilët nuk kopjojnë apo së paku nuk kanë tendenca kopjimi, e lëre më të kujdesen që mos bëhen kopje e dikujt tjetër. Të kopjuarit apo emitimi ndodhë në forma të shumta, kurse mundësitë sot janë të panumërta. Por çka ndodhë me origjinalen që bartim në vete, me thesarin e veçantë në brendi? A thua vallë Perëndia na krijoi vetëm ashtu sa për sy e faqe të veçantë, që ne pastaj të vazhdojmë të kundërtën e të bëhemi të gjithë të njejtë.
Cka ka ndodhë me pyetjet se çka është veçantia ime, çka barti në veten time,çka më bën ajo që në të vërtetë edhe jam, kush jam unë, e tj,etj. Për pyetje të këtilla me sa duket kemi shumë pak kohë. Edhe për njërën edhe për tjetrën faturën duhet paguar në fund.
Mirëpo, unë dëshiroj pak “të të zhgënjejë” dhe të them se: ti asnjëherë nuk mund të jesh dikush tjetër! Këtë ka mund ta bëjë Krijuesi para teje, po të kishte dashtur dhe sikur kjo të kishte qenë në rregull. Apo jo?! Ajo që ti mund dhe që kërkohet prej teje është të jesh vetëvetja me të gjitha kualitetet, sekretet dhe dhuntitë që ti i ke sjellë me vete.
Në botën e gjallë është vetëm njeriu që posedon këtë “syndrom”, pra tendencën të bëhet apo shtiret si dikush tjetër, pra në fakt të bëhet diçka që nuk është! Te kafshët kjo dukuri nuk haset dhe me sa duket nuk e kanë këtë siklet. Një luani nuk do ti shkonte ndërmend ti përngjajë dhelprës apo të bëje siç bënë ajo; ose shqiponja të sillet si pulë dhe lepuri ta emitojë dashin!?
Çka na shtynë neve të mundohemi të bëhemi si të tjerët? Çka na shtynë neve të kopjojmë të tjerët dhe të mundohemi të sillemi si ata?
Një mik i imi, kur ndëgjoi këtë prej meje, pa pritur fare, më tha:. Kafshët,o shoku im, nuk shiqojnë seriale, nuk argëtohen me big brother, nuk ndjekin stilet e ndryshme, nuk i shejntërojnë figurat njerëzore deri në absurditet, qoftë nga sporti, arti, politika, etj.. Të gjithë këta janë në rregull në punën e tyre, por ti? Ti, çka je duke bërë nga vetja jote?
Ne, në vend që të thellohemi dhe pyetemi se çka më bën ndryshe dhe të veçantë, ne mundohemi në forma të shumta të krahasohemi apo “bëhemi” si ai apo ajo, dhe të shkojmë me ëndrra pas njerëzve, të cilët në shumtën e shembujve kanë bërë më të mundshmen nga vetja e tyre. Por nuk janë të tjerët “më të rëndësishmit”! TI JE AI/AJO. Ti je më i rëndësishmi.
Për një njeri që e kupton këtë lloj të zhgënjimit të vetëvetes, në të njejtën kohë e kupton poashtu se kjo është rrugë pa dalje. Duke bërë kështu ti ngel në mes të rrugës dhe në fund nuk je as vetëvetja dhe as ai apo ajo tjetra! A nuk është kjo mëkat ndaj veçantisë personale, ndaj kësaj dhurate hyjnore! E di, shumë vështirë është të jesh vetvetja, por e pamundshme të jesh dikush tjetër!!

Post a comment