Blogu

Kur Egoja flet për veten!

Një numër i madh i pyetjeve që më parashtrojnë miqtë e mi në rrjetet sociale janë pyetjet në lidhje me Egon, njerëzit egoik si dhe konkretisht si mund të vërehet se një njeri a është nën ndikimin e pamëshirshëm të Egos apo jo. Ja pra këndvështrimi im në lidhje me këtë si praktikues dhe mësues të meditimit.

Të flasësh për Egon, pa mos e njohur dhe pa mos e praktikuar me sukses MEDITIMIN, kjo do të ishte e njejtë sikur një virgjëreshë të fliste se çka është shtatzënia! Fakt është se ka plot të tillë që flasën në adresë të egos duke „sqaruar“ se sa e dëmshme apo sa e keqe qenka egoja.

Shpesh ndodhë që personi që mendon se flet për egon, nuk e din se në atë moment është pikërisht egoja e e tij e cila flet për veten e saj! Kjo është shumë interesante. Personi mund të pretendojë të flasë bukur, butë dhe me fjalorë të këndshëm, duke e etiketuar anomalinë e egos, por nuk mund ta dijë asesi se për çka flet, pasiqë egoja ka aftësi të flasë për veten, madje pa mos qenë personi i vetëdijshëm për këtë. Po, kjo është e mundshme dhe ndodhë vazhdimisht me shumë njerëz. Egoja posedon dinakërinë që këtë ta bëjë me sukses dhe pandërprerë, madje pa mos e kuptuar se kur është mjaft, pasiqë PANGOPSHMËRIA është një karakteristikë e veçantë e Egos.

Një nga dinakëritë më të theksuara që përdor egoja është SHTIRRJA. Egoja mund të shtirret, vetëm e vetëm që ta mbrojë veten. Detyra kryesore e Egos është mbijetesa. Shtirrja për egon është një mekanizëm tejet i sukseshëm. Egoja nëpërmjet shtirrjes shfaqet në forma të ndryshme, duke përdorur role të caktuara si ata të mikut „të sinqertë“, viktimës, shpëtimtarit, fitimtarit si dhe udhërëfyesit, të stilit “unë ja dola, mundeni edhe ju“ ose ajo që në kohën e sodit shfaqet më tepër është „kështu më ka ndihmuar mua, pse mos ju ndihmojë edhe juve“. Natyrisht egoja ka gjithmonë një qëllim të prerë dhe nuk do të veprojë asnjëherë nëse nuk do të kishte përfitime nga veprimi konkret. Personat që janë nën pushtetin e pamëshirshëm të egos, madje sot psikologjia sociale i ka definuar si „kalkulativët“, krijojnë grupacione, rrethe sociale, statuse të caktuara, vetëm e vetëm që pastaj të lindë një profit nga kjo, qoftë financiar apo social. Personi egoik, nga ai moment kur nuk ka interes, atëherë ai nuk merret aspak me ty, edhe ate duke „harruar“ urgjentisht gjithçka çka ke bërë për të. Por deri sa të ndodhë kjo, ata të bombardojnë me lëvdatat nga më të mundshmet, madje ndonjëherë edhe tejez absurde, si „ti të dua ma shumë se veten time!!“ Dëshmi për këtë ka secili prej neve.

Pa mos e shijuar thellë esencën e meditimit dhe pa mos e kuptuar se egoja është vetëm pjesë e Vetëdijes dhe jo e kundërta, gjithçka çka thua për Egon mund të mos jetë legjitime apo „ e jotja“, pasiqë ti në atë moment nuk mund ta din se kush flet aty, egoja për veten apo vetëdija që e vëzhgon egon dhe format e saja.

Nuk mund të keshë një Vetëdije të qartë për ekzistencën e Egos dhe pushtetin subtil të saj, derisa nëpërmjet MEDITIMIT nuk ke arritur në atë dimenzion, që të kupton se ti dhe egoja nuk jeni NJË. Kush është ai që flet aty, ti apo egoja jote?! Kjo nuk qartësohet pa meditim!

Ju lutem, nëse një person flet shpesh për egon dhe nuk e njehë si duhet meditimin, atëherë aty mund të ketë shumëçka që duhet të ndëgjohet me kujdesin kritik. Zakonisht është shumë e vërtetë se personi që në mënyrë të vazhdueshme flet për Egon, po i njeti është fuqishëm i ndikuar, mos them edhe i infektuar nga Egoja. Sikletin e tyre ata do ta reflektojnë në forma të ndryshme.

Ajo që duhet poashtu ditur në këtë kontekst është se egoja madje posedon vetinë edhe „të fajësojë“ veten, vetëm e vetëm që ta shpëtojë veten, pra ta siguruar mbijetesën me qëllim që të veprojë drejt synimit të përcaktuar më parë.

Nga influenca permanente egos si dhe dëmi që ajo mund të bëjë,mund të të shpëtojë vetëm të medituarit. Mesazhi im final është se nëse nuk e përvetëson meditimin, atëherë mos u me me të ashtuquajtura „ligjerata“ mbi Egon, edhe ate me një të vetmen arsye:

  • që mos e ngatërosh edhe veten edhe të tjerët!

Sheki Useini – NATHAN

Schweiz / Dezember 2019

Post a comment