Blogu

Mos kurse Respekt dhe Dashuri ndaj vetes!

Shumë pak njerëz merren me rritjen dhe zhvillimin e tyre të brendshëm, me kultivimin e vlerave dhe paqës në brendi. Në vend të kësaj harxhojnë vitet e tyre duke krijuar gjëra të jashtme, duke punuar dhe investuar pandërprerë për të jashtmen e tyre, për gjëra që në shiqim të parë duhet të jenë të dukshme për opinionin, bile edhe aq më mirë nëse për këtë arrijnë të korrin lëvdata dhe duartrokitje të forta.Mirëpo vitet kalojnë dhe bëhen më të rënda, rinia dhe bukuria e jashtme nuk janë të përhershme, dhe me këtë edhe realizimi i pritshmërive dhe standarteve vazhdon të bëhet edhe më i rëndë. Në kohën kur arrijmë një moshë të konsiderueshme, atëherë ajo se çka dhe sa kemi investuar në brendinë tonë, reflektohet dhe vjen në shprehje më fuqishëm se kurrë më parë. DASHURIA dhe RESPEKTI janë vlera të pazavendësueshme që ne mund t`i japëm vetes sonë. Po e njejta pastaj kultivon edhe më tepër dashuri dhe respekt edhe ndaj të tjerëve edhe ndaj vetes, pasiqë bëhemi edhe më tërhekës për më tepër dashuri dhe respekt nga të tjerët për veten tonë. Kurse nga ana tjetër, kur ne nga dita në ditë ngrisëm nivelin e dashurisë dhe respektit për veten tonë, ne bëhemi gjithnjë e më shumë edhe më TË LIRË dhe më TË LUMTUR në jetë. Por kjo nuk ndodhë automatikisht vetëm për hirë të viteve që bëjmë. Por kjo ndodhë me njerëzit e zgjuar dhe të vetëdijshëm për këtë, të cilët përdorin vitet e tyre për të punuar në këtë drejtim dhe të përparojnë me sukses drejt burimit dhe lirisë së tyre të brendshme. Pra, lejoni vetes të shkëlqeni dhe të gëzoheni çdo ditë për veten tuaj. Mos u merr me ate se çka thuan të tjerët! Të tjerët do të kenë gjithmonë diçka për të thënë. Kjo është shumë normale. Por, ti vendos që sot të bësh diçka që të pëlqen më shumë dhe që ke dashtur të bësh që moti, pamvarësisht zërave që mund të thuan se je në moshë, nuk je i ri, nuk je i bukur, se kjo nuk është moda aktuale, apo nuk je i pasur ose i mençur!

Thjeshtë bën diçka që të pëlqen! Veshu me diçka që të shkon ty, shko në ndonjë vend ku akoma nuk ke qenë, vizito një mik „të vjetër“dhe bisedo gjatë me të, apo kërce, këndo dhe vallëzo, derisa të shkrihesh i tërri. Jeta është shumë e shkurtër për të bërë punë të mërzitshme, për t`u shoqëruar me njerëz negativë, për t`u veshur sipas dëshirës së secilit, për të shkurtuar flokët sepse të tjerët thonë se kështu nuk bën, për të jetuar sipas standardeve dhe diktateve të huaja, për të mësuar dituri të importuara që nuk të sjellin asgjë, apo për të mësuar fjalë të bukura për të fshehur qëllime të dyshimta.  Kjo jetë nuk është edhe aq e gjatë, që ne pandërprerë të flasëm për urrejtjen, zilinë, ndarjen, frikën, dreqin apo vdekjen dhe të vallëzojmë sipas notave të muzikës që pregatit dikush tjetër.

Nuk ka jeta nevojë për duartrokitje dhe shtirrje, por ajo sot mallëngjon për më tepër Zemra të hapura me plot dashuri, respekt dhe sinqeritet. Nuk ka jeta nevojë as për fitimtarë dhe as për humbës, por ajo ka nevojë për heronjë të ndërgjegjshëm që e parandalojnë edhe njërën edhe tjetrën! Mos hezito, së paku sot njëherë të ulurosh fuqishëm:

„Jeta ime – standarti im – mrekullia ime – përgjegjësia ime“!

 Sheki Useini – NATHAN

Tetovë, 02.10.2018

Post a comment