Blogu

Miqësia enigmatike!

Enigma në vetveten e tij vërehej qartë në shiqimin e pafajshëm, por të shqetsuar?!

-Dua të më tregosh se çka do të thotë kjo, kur të kërkohet se „nëse nuk i bën „like“ dhe „share“ postimet e mia, atëherë të largoj nga lista e miqësisë“ – pyeti miku me sarkazëm dhe zë të tensionuar.

Nuk u përgjigja menjëherë. Të gjithë ne e dimë se ka specialistë të tillë në rrjetet sociale që e përdorin këtë formë të ushtrimit të pushtetit dhe joshjes ndaj të tjerëve. Por ai ishte i vendosur që të pranojë një përgjigje dhe në mes tjerave tha: – por, të lutem mos i bjer shkurtë, dua të ma sqarosh mirë.

O miku im, kjo nuk është diçka e re. Edhe mua më ka ndodhur kjo, kurse shembuj të tillë kemi plot edhe në politikë – fillova me përgjigjen duke e shiquar me vëmendje në sy. Këta veprime në esencë janë të njejta, vetëm lëkura është ndryshe. Ti e din se si është gjatë zgjedhjeve, pra votimeve? Nëse nuk votoje për partinë që të „sugjerohej“, urdhërohej, madje ndonjëherë edhe kërcënohej, atëherë të lindnin telashe, ndoshta edhe humbje të vendit të punës. Dhe pastaj në atë vend vinte ai që është i ndëgjueshëm. Apo jo?! Në shoqërinë tonë duhet të jeshë i ndëgjueshëm, duartrokitës, spektatorë, memec, madje do ishte edhe më mirë nëse nuk do të dallohej as edhe prej deleve. Me sa duket këtë mentalitet e gëlltitëm shpejtë dhe duke vepruar kështu, u „detyruam“ të ndërtojmë karriera dhe bollëk, por jo për veten, fatkeqësisht të atyre që tanimë e dimë se nuk e meritonin fare. Po të njetit pastaj, në vend që të kejdeseshin për premtimet e bukura që bënë dhe që akoma na bëjnë, ata edhe sot argëtohen në forma të ndryshme.

Pra miku im mos u bën merak për këtë! Nuk të nevojitet miqësia e imponuar apo detyruar. Lista e miqësisë e krijuar në këtë formë, ajo nuk ka të bëjë me miqësinë! Ajo është listë interesi. Ajo „miqësi“, që të kërcënon se do të largojë nga lista, pasiqë ti nuk ju bën LIKE apo SHARE statuseve të personit të caktuar, dije se pikërisht ajo „miqësi“ nuk është për ty!

Të imponosh dikujt kërkesa të këtilla, për mendimin tim ajo nuk është vetëm një nevojë për një shërbim apo përkrahje, por është më tepër një joshje e ëmbël që të dorëzosh një pjesë të pushtetit tënd në duart e tjetrit, pra në duart e huaja. Pushteti jotë mental kalon në prehërin e tjetrit. Pse?! Kjo kërkesë, në të shumtën e rasteve, e pispillosur me mantelën e joshjes për ndonjë qëllim të caktuar, duket jo vetëm qesharake dhe enigmatike, por është edhe e dëmshe, mos them edhe e rrezikshme. Para së gjithash është një intervenim në VULLNETIN E LIRË të përcaktimit si dhe SHQETËSIM i rehatisë për krijimin e opinionit individual të pamvarur. Të vepruarit e këtillë e shëmton mundësinë e krijimit të një realiteti të shëndoshë dhe jo të shtrembëruar. Realiteti nuk është i ndarë prej neve. Ne dhe realiteti jemi NJË, ai është rezultat i veprimeve tona. Pra miku im, kujdes se çfarë realiteti krijojmë. TI dhe UNË kemi mundësinë të krijojmë edhe njërën, edhe tjetrën, pra edhe realitetin edhe iluzionin. LIRIA është guximi të jeshë VETVETJA.

-Po si të veproj ndaj kësaj? – pyeti miku im.

Më e rëndësishmja është të mos nxitosh! Ti duhet të kupton se nëse diçka të imponohet me detyrim apo më keq me kërcënim të çfarë do lloji, atëherë ajo në brendi të saj flenë dyshimi. Sa më i fuqishëm imponimi, aq më i madh është dyshimi. Sa më e madhe përkdhelja, aq më i madh interesi. Ajo që të imponohet me këmbëngulje dhe në mënyrë sistematike, dije se rrallë herë bëhet fjalë për të mirën tënde. Rritja dhe pjekuria shpirtërore kërkon vigjilencë!

Natyrisht se ka edhe të tillë që të argëtojnë duke të thënë se „ i larti të lartëson“! Kjo sa duket e bukur po aq mund të jetë edhe e shëmtuar! Personi që me krenari të flet vazhdimisht se „i larti të lartëson“, qartëso së pari se për lartësimin e kujt bëhet fjalë?! Zakonisht së pari mendojnë për veten e tyre. Askush nuk të lartëson duke e dëmtuar veten! Duke inkurajuar të tjerët se“ i larti të lartëson“, ata lartësojnë veten. Dhe sa më shumë të tillë të ketë, që besojnë me të vërtetë se „i larti të lartëson“, po aq më mirë për ata, që vazhdimisht këtë të njejtën ta pëshpërisën te veshi!. Të lartësuarit e vërtetë nuk merren me vjersha të këtilla, ata vetëm bëjnë punën e tyre. Fatmirësisht ka edhe të atillë për të cilët rezultatet dhe lartësia e tyre flasin vetëvetiu. Lartësinë që të nevojitet TI e bartë me vete. Medito për këtë! Hulumto për këtë! Ajo është detyra jote, jo e të tjerëve.

Miku im i dashur, për më tepër lexoje „1984“ nga Georg Orwell ose „Psikologjia e masës“ nga Gustav le Bon dhe mos u bën merak për ate se kush të largon apo të afron. Kjo nuk është puna jote!

Sheki Useini – NATHAN

Zvicër / Janar 2019

Post a comment