Blogu

Shumë VËSHTIRË është të jeshë VETVETJA!?

Secili njeri, apo secila krijesë është e veçantë. Kjo është një vërtetësi absolute dhe e pakontestueshme. Mirëpo, po vërehet në kohën e sotme një fenomen, të cilin unë e quaj “Errozion i Origjinales” apo “rrënimi i asaj që është autentike”.

Të rrallë janë ata të cilët nuk kopjojnë apo së paku nuk kanë tendenca kopjimi, e lëre më të kujdesen që mos bëhen kopje e dikujt tjetër. Të kopjuarit apo emitimi ndodhë në forma të shumta, kurse mundësitë sot janë të panumërta. Por çka ndodhë me origjinalen që bartim në vete, me thesarin e veçantë në brendi? A thua vallë Perëndia na krijoi vetëm ashtu sa për sy e faqe, edhe ate të veçantë, që ne pastaj të vazhdojmë të kundërtën duke tentuar të bëhemi si dikush tjetër.

Çka ka ndodhë me pyetjet se çka është veçantia ime, çka barti në veten time, çka më bën ajo që në të vërtetë edhe jam, kush jam unë, çfarë është roli im këtu, ku është vendi im në shoqëri, e tj,etj. Për pyetje të këtilla me sa duket nuk kemi kohë! Sidoqoftë në fund edhe për njërën edhe për tjetrën do të paguhet fatura e duhur.

Mirëpo, unë të them, edhe ate pa pasur mëshirë për ty, se: ti asnjëherë nuk mund të jesh si dikush tjetër! Këtë kishte mund ta bëjë Krijuesi para teje, po të kishte dashtur dhe sikur kjo të kishte qenë e nevojshme. Apo jo?! Ajo që TI mund dhe që kërkohet prej teje është të jesh vetëvetja me të gjitha kualitetet, “sekretet” dhe dhuntitë që ti i ke sjellë me vete.

Në botën e gjallë është vetëm njeriu që posedon këtë “luks”, pra tendencën të bëhet apo shtirret si dikush tjetër, pra në fakt të bëhet diçka që nuk është! Te gjallesat tjera kjo dukuri nuk haset. Ato nuk e kanë këtë siklet. Një luani nuk do ti shkonte ndërmend ti përngjajë dhelprës apo të bëje siç bënë ajo; ose shqiponja të sillet si pulë, kurse lepuri ta emitojë dashin!?

Çka na shtynë neve të mundohemi të bëhemi si të tjerët? Çka na shtynë neve të kopjojmë të tjerët dhe të mundohemi të sillemi si ata? Çka na shtynë neve ta mashtrojmë veten?

Një mik i imi, kur ndëgjoi këtë prej meje, pa pritur në mënyrë satirike tha: “gjallesat tjera,o shoku im, nuk shiqojnë seriale, nuk argëtohen me big-brother, nuk pispillosen sipas stileve të ndryshme, nuk merren me historitë e të tjerëve, nuk vrapojnë pas ëndrrave që u a servojnë “të mençurit”, nuk janë të urritur pas duartrokitjeve, diplomave, komplimenteve të panumërta, madje shumë herë edhe të pakuptimta. Ne kemi filluar që moti edhe t`i shejntërojmë figurat njerëzore deri në absurditet, qoftë nga sporti, arti, politika, religjioni apo shoqëria në përgjithësi. Paraqitja e tyre nëpër ekrane televizive apo në opinon, gati shkakton çmendrurinë në kokërat e shumë njerëzve, brohoritje, piskamë, duartrokitje, lotë, përdhosje, çmenduri, e tj.  Nuk kam asgjë kundër tyre, asgjë kundër suksesit të tyre dhe kundër askujt tjetër. Të gjithë këta janë në rregull me suksesin e tyre. Por ti?! Ti, çka je duke bërë nga vetja jote? A i duartrokit vallë ti ndonjëherë vetes tënde?! A të shkon mendja ndonjëherë të bëhesh si vetja jote?!

Ne, në vend që të thellohemi dhe pyetemi se çka më bën ndryshe dhe të veçantë, ne mundohemi në forma të shumta të krahasohemi apo “bëhemi” si ai apo ajo, shkojmë pas ëndrrave të të tjerëve, të cilët në të shumtën e shembujve kanë bërë më të mirën e mundshme nga vetja e tyre dhe për veten e tyre. Kërkojmë mirënjohje e tyre, qoftë me fjalë apo qoftë me shkrim! Por ngadalë! Nuk janë të tjerët “më të rëndësishmit”! TI JE AI/AJO! Ti je më i rëndësishmi në këtë Botë dhe në këtë Jetë. Të lutem pranoje këtë!!! Sa më tepër që do ta pranosh veçantinë tënde, po aq më tepër do ta vlerësosh edhe veçantinë e të tjerëve.

Jo, jo nuk guxojmë ta mashtrojmë veten me imazhe të huaja! Për një njeri që e kupton këtë lloj të zhgënjimit të vetëvetes, në të njejtën kohë e kupton poashtu se kjo është rrugë pa dalje. Duke bërë kështu ti ngel në mes të rrugës dhe në fund nuk je as vetëvetja dhe as ai apo ajo tjetra! A nuk është kjo mëkat ndaj veçantisë tënde, ndaj kësaj dhurate hyjnore! Po, po e di se si TI tani ndjehesh! Ti e kupton bukur mirë se është shumë vështirë të jesh vetvetja, por unë të them se është E PAMUNDSHME të jesh si dikush tjetër!!

Post a comment